Home / Rrjeti i Grave Afariste të Kosovës

Rrjeti i Grave Afariste të Kosovës

 Rrjeti i GraveAfariste të Kosovës është një organizatë joqeveritare jofitimprurëse që përkrah gratë afariste duke iu siguruar informata dhe mundësi për partneritet e rrjetëzim, trajnime në fushën e biznesit, qasje më të mirë në kredi dhe financime, si dhe këshilla se si t’i tejkalojnë vështirësitë. Rrjeti po ashtu avokon për çështje të zhvillimit ekonomik me interes të veçantë për gratë. Rrjeti është një organizatë që anëtarëson gra afariste ose që dëshirojnë të bëhen të tilla, si dhe organizata që punojnë për fuqizimin ekonomik të grave nga e gjithë Kosova.

E gjithë veprimtaria e RRGAK-së udhqëhiqet nga bindja se fuqizimi ekonomik i grave është një nga strategjitë themelore për arritjen e barazisë gjinore në Kosovë.

 Ideja e RRGAK-së lindi në vitin 2000 si një iniciativë e shoqatës SHE-ERA nga Gjakova, ide që fitoi menjëherë përkrahjen e Rrjetit STAR të World Learning. Rrjeti STAR, me financim nga USAID, vazhdon ta mbështesë rrjetin përmes ndihmës teknike dhe fondeve për Programin e Forcimit të Kapacitetit Institucional të RRGAK-së.

 Deri në shtator të vitit 2003 RRGAK ka funksionuar si një rrjet informal. Në këtë vit rrjeti u regjistrua si organizatë joqeveritare dhe ndërmori përpjekje për forcimin institucional, si dhe për zgjerimin e fuqizimin e programeve të veta.

 Puna e RRGAK-së udhëhiqet nga Bordi që përbëhet nga gra afariste me eksperiencë dhe specialiste në ekonomi. Në mars 2004 RRGAK hapi zyrën e vet në Prishtinë. Programet e rrjetit implementohen nën drejtimin e Mirlinda Kusarit, bashkë-themeluese e rrjetit dhe Këshilltare e Lartë, dhe të Ilire Rizvanollit, Menaxhere e Programit.

 Për t’u shërbyer sa më mirë anëtareve të veta, RRGAK-ja është duke zhvilluar një Sistem të Shpërndarjes së Informatave, i cili do të mundësojë informimin e vazhdueshëm dhe efektiv të anëtareve të rrjetit, si dhe të të gjithë atyre që janë të interesuar për çështjet e fuqizimit ekonomik të grave. Këto informata përfshijnë ndryshimet në kuadrin ligjor që lidhet me ekonominë, programe dhe politika publike me interes për fuqizimin ekonomik të grave, mundësi për grante dhe kredi, mundësi për trajnime dhe shkëmbim përvoje brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe mundësi për zhvillimin e bizneseve të përbashkëta.

 Zyra e KBWN, ka funksionuar deri në vitin 2006, ku edhe eshte mbyllur për shkak të mungeses së fondeve. Momentalisht SHE-ERA ka aktivizuar KBWN përmes faqës së saj të internetit, me qëllim që gratë sipërmarrëse të Kosovës të kenë mundësinë që të përfitojnë dhe të vazhdojnë të jenë pjesë e programeve dhe shërbimeve në vazhdimësi  dhe të zgjerojnë dhe forcojne rrjetin e tyre. Aktualisht RRGAK-ja po punon në zgjerimin e anëtarësisë dhe në zhvillimin e mëtejshëm të marrdhënieve me organizatat partnere dhe donatorët.